Fjalëkalimi "shqiptar"
"Politikanët janë të njejtë, gjithandej. Premtojnë ndërtimin e urës edhe aty ku nuk ka lum." Nikita Khrushchev
Shkruan: Artan GRUBI
Të nderuar, politika, thotë njëri, është arti i kërkimit të belasë, gjetjen e belasë edhe aty ku nuk ekziston, diagnostifikimin jokorrekt dhe përdorimin e ilaçit të gabueshëm. Kjo qeveri dhe doktrina e saj e ka emrin bela. Bela me fqinjët, bela me proçeset integruese, bela me investitorët e huaj, bela me komunitetet fetare dhe së fundi, atë më të keqën, bela me shqiptarët.Çdo përmendje e diskriminimit kulturor, ekonomik, gjyqësor, arsimor, social, etnik ndërlidhet drejtëpërdrejt me shqiptarët të cilët mbajnë të drejtën ekskluzive e të qenurit qytetar i rendit të dytë në Maqedoni dhe fajtor kujdestar për të gjitha dështimet e vendit. Andaj të dashur miq, le t'a rikthejmë reagimin tonë si shqiptar tash kur e pamë që reagimet tona si të integruar, si multikulturor, politikisht korekt dhe si çdo gjë tjetër përveq se shqiptar -dështuan. Pjesa e kombit shqiptar që jeton në Maqedoni ka bërë sakrificën më të madhë duke u pajtuar me pavarësinë e Maqedonisë me çmim të largimit nga prehëri i Beogradit, ridrejtimit të timonit shtetëror kah civilizimi perendimor dhe integrimit euroatlantik të vendit. Krahas sakrificës sublime të pjesës së kombit shqiptar që jeton në Maqedoni dhe barabarësisë së garantuar kushtetuese, shteti vazhdon t'i trajtojë si qytetarë të rendit të dytë. Qysh nga pavarësia e gjer më sot, shqiptarët janë viktima të proçeseve të montuara politike dhe edhe pse të pafajshëm, dergjen nëpër burgje. Filozofi romak Qiuntillianus (35-96) duke folur për problemet në gjyqësi thotë sе ato mund të zbërthehen nëse u jepet përgjigje pyetjeve: Kush? Çka? Ku? Kur? Si? Pse? dhe Me cilat mjete? Në Maqedoninë e sotme, problemet gjyqësore zbërthehen me fjalëkalimin "shqiptar". Çdo rast gjyqësor që zbërthehet me këtë fjalëkalim përfundon me dënim drakonik qoftë nëse edhe dëshmohet e kundërta, si në rastin e Sopotit, Bit Pazarit, Gostivarit, aferës së armëve, Tetovës, Ladorishtit, dhe nuk ka fund kjo listë. Së fundi, riaktivizohet bomba e tempuar e quajtur dosjet e rikthyera të Hagës si thupra politike për të disciplinuar shqiptarin që kohë pas kohë shfaq tendenca për t'u larguar nga prehëri dhe ninulla e partnerit maqedonas dhe të fillojë t'a përdor kokën. Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish Jugosllavi nuk e pa të arsyeshme dhe të nevojshme të nis procedurë gjyqësore për katër dosjet që prokuroria e Maqedonisë ia servoi si krime lufte në të cilat akuzohen ekskluzivisht forcat e UÇK-së. Edhepse autoritetet vendase paraqitën vetëm raste ku akuzoheshin shqiptarët, Prokuroria e Hagës vendosi që mos të përfillë asnjë prej tyre dhe u morr me rastin e Lubotenit të cilin Haga e klasifikoi si krim lufte ndërsa prokurorët Maqedonas as që kishin nisur hetimet për këtë rast.
Sot, duke mospërfillur Ligjin për amnisti të miratur nga Kuvendi i Maqedonisë, gjykatat vendore kanë rifilluar proçeset mbi dosjet të cilat ishin të paqëndrueshme para gjykatës ndërkombëtare, gjë që paraqet një precedent skandaloz në të drejtën ndërkombëtare. Proceduimi i këtyre dosjeve shpjegohet vetëm e kjo ndodh me ndërhyrje politike në gjyqësor dhe me arsyeshmërinë e mbajtjes së shqiptarëve në prehër me ninulla trushpërlarëse, por këta nuk e dijnë që shqiptari burrnohet që nga djepi.
Një rast tjetër aktual dhe skandaloz i ndërhyrjes së politikës dhe skenareve djallëzore në gjyqësor është rasti i Sopotit në të cilin 2 ushtarë të NATO-s dhe një civil humbën jetën në vitin 2003 dhe për të cilin u dënuan 11 shqiptarë nga fshati i Sopotit me gjithsej 156 vjet burg.
Sopotasit vazhdojnë të dergjen në burg përkundër deklaratave publike të dëshmitarit kyq i cili pohon pafajsinë e tyre që është konfirmuar gjithashtu edhe nga ish ministri i Mbrojtjes si dhe ish Ambasadori i NATO-s në vend bashkë me shumë të tjerë. Të gjitha këto të dhëna të detajuara mbeten në sirtaret e parlamentit dhe presin, si gjithnjë, pazarllëkun politik për pafajsinë e shqiptarëve të dokumentuar në qindra fletë. Përderisa çdo ditë e kaluar në moratoriumin e politikës ndëretnike në vend është ditë pazari, shqiptarët mund të risin vlerën e tyre politike vetëm nëse bashkërendisin veprimet dhe përkrahin njëri tjetrin sepse tashmë është e qartë se asgjë tjeter nuk kryen punë. Këtë e dëshmuam me njohjën e Kosovës dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, Falsiklopedinë e ASHAM-it, imponimin e gjuhës maqedonase, etj. Kur JEMI NJË, jemi të pamposhtur.
Sa kushton të jesh shqiptar në Maqedoni?
/Autori është kryetar i Lëvizjes Qytetare ‘ZGJOHU’!/
(Qëndrimet e shprehura në këtë rubrikë janë personale dhe nuk reflektojnë politikën redaktuese të TV Alsat)









-


Facebook
Furl
Digg
Myspace
Windows Live
Yahoo MyWeb
Me pelqen se i gjeni problemet e popullit dhe jeni nxites per te gjitha partite shqiptare te punojne me shume per popullin e vet.Prandaj edhe keni perkrahje te nderkombetareve.
Bravo
Por me veprimet e fundit kur Zgjohu verejti se BDI humb ne terren dhe bashke me ta edhe Zgjohu, disi ndryshuan politike, apo thene ndryshe filluan qe te c'Ametizohen. Me mire vone se kurre, por nuk harrojme se kush keni qene.
Dërgoni komentin