Komuna e Likovës vatër e re e infeksionit nga koronavirusi. Në 24 orët e fundit u shënuan 25 raste të reja dhe një viktimë. 52 vjeçari nga fshati Nikushtak është viktima e 6 në këtë Komunë. Ndërkaq, sot në Kumanovë ka një rast pozitiv. Sipas fshatrave 13 raste të reja ka në Sllupçan, 5 në Mateç, 4 në Likovë dhe 3 në Nikushtak. Nga Qendra e Shëndetit Publik të Kumanovës thonë se për të detektuar me kohë infeksionet e reja, kanë filluar me testime masive.

“Duke parë se situata nuk është mirë kemi bërë lutje deri te Ministria e Shëndetësisë që rregullat standarde për marrjen e testeve mos të vazhdojnë për Komunën e Likovës, por të na japin leje të bëjnë teste masive sepse situata epidemiologjike tregonte se ka një rritje alarmante të numrit të infektuarve- deklaroi Arif Latifi, Drejtor i Qendrës së Shëndetit Publik – Kumanovë.

Gjatë orës policore lëvizje kishte vetëm me mjete bujqësore. Sipas SPB Kumanovë janë regjistruar tri shkelje të mos respektimit të ndalesës për lëvizje të lirë. Autoritetet komunale thonë se kjo valë e re e infeksioneve u shkaktua nga mos respektimi i rekomandimeve shëndetësore.

“Vetëm dje janë bërë mbi 90 teste në territorin e komunës sonë dhe kështu kanë filluar të vetëdijesohen njerëzit, ta pranojnë si realitet se ekziston virusi dhe të gjithë jemi të rrezikuar- pohoi Erkan Arifi, Kryetar i Komunës së Likovës.

Shifrat thonë se në Rajonin e Kumanovës, Likovës e Kriva Pallankës që nga fillimi i pandemisë ka pasur 526 të prekur nga koronavirusi. Raste aktive janë 110, prej të cilave 92 në Likovë dhe gjithsej 25 të vdekur. Në izolim janë 170 persona, prej tyre 140 në Likovë.

Përgatiti: Adnan Qaili

Shpërndaj me

Loading...