Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmetipërmes një letre ka dalë në përkrahje të kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli pasi ky i fundit është thirrur nga Gjykata Speciale. Ahmeti thekson se kjo që po i ndodh Veselit është padrejtësi dhe se ai do të ngadhënjej dhe do të mbrojë dinjitetin e luftës së pastër.

Letra e plotë e Ahmetit:

I dashur vëlla Kadri, bashkëveprimtar, bashkëluftëtar, bashkëmendimtar, shoqërues dhe bashkë-ndërtues i rrugës sonë të përbashkët për liri, pavarësi, demokraci.

Na paska qenë e shkruar, jo nga Perëndia, por nga hasmi, ai i dituri dhe ai i strukuri, që çdo ditë të lume ta dëshmojmë pastërtinë dhe dinjitetin e luftës tonë çlirimtare nga zgjedha e kasapit të Ballkanit.

E nga Perëndia na qenka përcaktuar detyrimi që t’i bëjmë ballë shpifjeve, denigrimeve, nënçmimit, propagandës dhe lajmeve të rreme nga ai i dituri edhe ai i strukuri në mënyrë që ta mbrojmë dinjitetin e luftës, e çdo pike gjak të derdhur, e çdo plage, të secilit dëshmor, martir dhe invalid, të çdo istikame, të çdonjërës shkrepje, të secilit lot të derdhur nga sytë e nënave tona.

E di që edhe ti, si edhe unë, edhe një jetë po ta kishim, do ta bënim të njëjtën, pa ndryshuar pikë as presje, pa na u dridhur qerpiku, e as pa u menduar as edhe një herë të vetme.

Kjo është padrejtësi, por ti do të ngadhënjesh ndaj saj ashtu siç bashkë kemi ngadhënjyer  në luftën tonë të drejtë.

Shpërndaj me

Loading...