Pasi i kishte shpallur të mbyllura çështjet normative të barazisë etnike që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit, BDI-ja në fushatë zgjedhore del me premtime të tjera. Tani partia shqiptare në pushtet premton vendimmarrje konsensuale me nënshkrim të lidhur, Badenter në Qeveri dhe rishikimin e himnit shtetëror.

Dhjetëra institucione shtetërore strategjike do të drejtohen bashkërisht nga një pjesëtar i komunitetit maqedonas dhe shqiptar me të drejtat të barabarta dhe nënshkrim të dyfishtë. Vendimet kryesore ekonomike, buxheti investimet taksat, nga Qeveria nuk mund të kalojnë pa mbështetjen e shumicës së anëtarëve të kabinetit qeveritar të komunitetit shqiptar. Unë propozoj që të arrihet një konsensus në lidhje me përmbajtjen e himnit të vendit tonë për të pasqyruar këtë diversitet sepse ky simbol nuk duhet të jetë simbol i përjashtimit dhe pabarazisë”-tha Naser Ziberi, kandidat i BDI-së për kryeministër.

Partia e Ahmetit thotë se do të zbatojë mësimin e shqipes edhe për maqedonasit dhe komunitetet e tjera, duke filluar nga klasa e pestë.

Ne propozojmë që të kemi klasa në të cilat detyrimisht do të mësohet edhe gjuha shqipe në çdo shkollë, duke filluar nga klasa e pestë”-pohoi Naser Ziberi, kandidat i BDI-së për kryeministër.

Ideja e inkuadrimit të shqipes në shkolla për komunitetet e tjera vjen pasi ky opsion deri tani ishte hedhur poshtë disa herë. Në të njëjtën kohë, shumë nxënës shqiptarë në të gjithë vendin akoma nuk kanë mundësi të ndjekin mësimin në shqip, edhe pse kuadër të kësaj partie kanë drejtuar gjithmonë Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Në mungesë të paraleleve në gjuhën shqipe, shumë nxënës shqiptarë në Manastir, shumë nxënës shqiptar në Komunën e Çashkës në Veles, nxënësit e lagjes Jurumler në Gazi Babë dhe shumë nxënës të shkollave të mesme profesionale në Ohër, për të cilët Alsat ka informuar në vazhdimësi, mësimin detyrohen ta ndjekin në maqedonisht. Me këtë fenomen ditë më parë në rrjetet sociale kishte ironizuar edhe ish kryeministri dhe ish presidenti shqiptar Sali Berisha.

Me miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve, në janar të vitit 2018, vetë BDI-ja e kishte konsideruar të mbyllur aspektin normativ të barazisë etnike që buronte nga Marrëveshja e Ohrit.

Sot, me miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve, me 69 vota “për” dhe asnjë kundër u rrumbullakua pjesa normative e Marrëveshjes paqësore të Ohrit dhe tashmë na mbetet neve, në veçanti institucioneve të ekzekutivit që ta zbatojnë çdo gjë që është miratuar në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë”- deklaroi Artan Grubi, BDI (11.01.2018).

 

Fatlume Dervishi

Shpërndaj me

Loading...