Federata Futbollistike e Maqedonisë pasi ndërpreu në tërësi sezonin 2019 /20 në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë, tani duhet të përballet me problemin e shpalosjes së emrave të skuadrave që do të garojnë në garat evropiane.

Sipas renditjes aktuale, Vardari do të duhet të luajë në Ligën e Kampionëve, ndërsa Sileksi dhe Shkëndija në Ligën Evropa. Mirëpo këtu është edhe Kupa e Maqedonisë, ku një vend në garat evropiane mund të përfitojë edhe skuadra e Renovës.

Procesi i licencimit është duke u zhvilluar, ndërsa nga skuadrat që pretendojnë të luajnë në Evropë, situata më kritike është ajo e Vardarit, që ka vështirësi financiare. Sergej Samsonenko ka hequr dorë, ndërsa borxhi i këtij klubi, jozyrtarisht është 2 mln euro, andaj Vardari për këtë fakt mund të mbetet pa licencë për garat evropiane.

Me këtë skenar mund të përfitojë Makedonija Gjorçe Petrovi. Kjo skuadër ka pikë të njëjta me FC Shkupin, por ka bilanc më të mirë në 2 sfidat e zhvilluara, pasi që ka shënuar një fitore dhe ka shënuar barazim në sfidat me skuadrën nga Çairi. Mirëpo nëse shihet golaverazhi, atëherë në situatë më të mirë është FC Shkupi.

Mirëpo fjalën e fundit do të jep Komisioni për Licencim, që duhet të verifikojë të gjitha kërkesat dhe pastaj do të vendos se cilat skuadrat kanë të drejtë që të marrin pjesë në garat evropiane.

Shpërndaj me

Loading...