Një tjetër ish-oficer i lartë i ushtrisë së Shteteve të Bashkuara dënoi kërcënimet e presidentit Donald Trump, për të përdorur trupat ushtarake kundër protestuesve në SHBA.

Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjenerali Martin Dempsey, tha se deklaratat e Trumpit janë “shumë shqetësuese” dhe “të rrezikshme”.

“Ideja që presidenti të marrë përsipër situatën duke përdorur ushtrinë, ishte shqetësuese për mua”, tha Dempsey për Radion Kombëtare Publike.

Ai ka shërbyer si oficeri më i lartë ushtarak i Amerikës nën ish-presidentin Barack Obama.

Në SHBA, qysh në fund të majit po protestohet për vdekjen e afrikano-amerikanit George Floyd, gjatë arrestimit nga policia.

Disa protesta kanë rezultuar edhe me zjarrvënie dhe plaçkitje.

Trump ka kërcënuar të hënën se do të pozicionojë ushtrinë “për të zgjidhur shpejt” situatën nëse shtetet nuk arrijnë.

Kritikat e Dempseyt vijnë një ditë pasi ish-sekretari i mbrojtjes i Trumpit, James Mattis, njëherësh ish-gjeneral i marinës, ka kritikuar presidentin duke thënë se ai qëllimisht shkakton ndarje.

“Donald Trump është presidenti i parë në jetën time, i cili nuk përpiqet të bashkojë popullin amerikan – as nuk pretendon të provojë”, ka shkruar Mattis në revistën Atlantic.

Shpërndaj me

Loading...