Deutsche Bank nisi të shkarkojë punëtorë nga Sidnej deri në Londër, në valën e parë të pushimeve nga puna.

Zyrtarë të bankës gjermane njoftuan se deri në vitin 2022 do të shkarkojnë 18,000 punëtorë – rreth një të pestën e stafit – në kuadër të ristrukturimit.

Në Sidnej, Hong Kong dhe vende të tjera në Azi, ku Deutsche Bank renditet ndër 10 bankat më të mira, disa bankierë thanë se të gjitha ekipet e shitjeve dhe tregtisë janë larguar.

Në Londër, po ashtu, disa punonjës u shkarkuan.

Shefi ekzekutiv i Deutsche Bank, Christian Sewing, tha se humbja e vendeve të punës “është e dhimbshme, por e pashmangshme për të siguruar suksesin afatgjatë” të bankës.

Një zëdhënës i bankës tha se qëllim është zvogëlimi i vëllimit të investimeve bankare dhe se ky ndryshim do ta bëjë bankën më të fuqishme.

Banka njoftoi se ristrukturimi do të përfshijë zvogëlimin e fuqisë punëtore nga 91,000 sa është aktualisht, në rreth 74,000 vetë deri në vitin 2022.

Deutsche Bank është goditur rëndë nga kriza financiare, dhjetë vjet më parë.

Shpërndaj me

Loading...