fbpx

Metodologjia e re e zgjerimit të Unionit vështirëson dhe ndërlikon procesin e negociatave si në aspektin politik ashtu edhe teknik, vlerësojnë njohësit e çështjeve evropiane. Malinka Ristevska Jordanova nga Instituti për Politikë Evropiane vlerëson gjithashtu se strategjia e re e propozuar nga Komisioni Evropian nxitë dallime në rajon, pasi për Malin e Zi dhe Serbinë do të vijojnë të vlejnë rregullat e vjetra.

Është në linjë me propozimin francez dhe kjo e bën procesin më kompleks dhe më të komplikuar. Përskaj gjyqësisë dhe të drejtave themelore që ishin kusht që nga viti 2005, parashikohen edhe kriteret ekonomike, administrate publike dhe do të kërkohen plane të posaçme për administratën publike dhe institucione demokratike. Kjo e bën procesin shumë më të komplikuar sepse këto monitorohen rregullisht dhe nevojitet kapacitet i madh që të njëjtat të bëhen mirë, në përputhje me prioritetet e shtetit- deklaroi Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politikë Evropiane.

Duke komentuar mundësinë e pezullimit të negociatave nëse vendet nuk shënojnë progres gjatë këtij procesi, ish ambasadorin Muhamed Halili thotë se pezullimi si mundësi ka ekzistuar edhe më herët.

Kjo mundësi ka ekzistuar deri tani, vetëm se nuk e kanë quajtur pezullim, por kushtet që i kanë vendosur vendet anëtare. Ne kemi pasur pezullime të atilla si shkak i kushteve që Greqia i ka bërë ndaj nesh, me dekada. Ky pezullim është pak më i vështirë për t’u bërë sepse do të duhen 2/3 e votave të vendeve anëtare, që të aplikohet. Një mundësi pezullimi ne e patëm edhe gjatë mundësisë së liberalizimit të vizave, por as për Maqedoninë, as për Shqipërinë e as për asnjë vend, edhe 0pse ka pasur nisma p.sh. Holanda për Shqipërinë, nuk ka ardhur deri te pezullimi- pohoi Muhamed Halili, ish-ambasador.

Me propozimin e unifikuar, Komisioni Evropian ka grumbulluar reformat në 6 kategori: Sundimi i Ligjit, tregu i brendshëm, konkurrenca, agjenda e gjelbër, bujqësia dhe marrëdhëniet e jashtme. Ndërsa monitorimin e reformave tani e tutje Komisionit Evropian do ta bëjë bashkë me shtetet anëtare, në mënyrë që vlerësimet të jenë unike. Pritet që brenda muajit Komisioni të prezantojë raporte të jashtëzakonshme për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, dhe të përsërisë rekomandimin për fillim të negociatave para Samitit të Zagrebit.

Anesa Salihu

 

 

Shpërndaj me

Loading...