fbpx

Vihet në pikëpyetje fillimi i vitit të ri shkollor. Në mbledhjen e sotme të Qeverisë përveç që u diskutua nuk u mor asnjë vendim për modelin final të realizimit të procesit mësimor nga 1 shtatori. Modelet e përpiluara tashmë nga Ministria e Arsimit do të shqyrtohen edhe një herë në takimin e radhës të Komisionit për Sëmundje Ngjitëse.  Ministri i Arsimit Arbër Ademi këmbëngul që viti i ri shkollor të fillojë me prezencë fizike, varësisht nga gjendja epidemiologjike në vend.

“Bëhet fjalë për vendime të vështira ku duhet të merret parasysh edhe të kenë relevancën e vet edhe autoritetet shëndetësore, në këtë rast edhe Komisioni për Sëmundje Ngjitëse me të cilët kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm gjatë këtyre ditëve por megjithatë gjatë ditës së nesërme do të vendoset. Nuk ka ekzistuar dhe nuk ekziston ambicie që nëpërmjet mësimit online të zëvendësojmë mënyrën tradicionale të realizimit të procesit arsimor për arsye se një gjë e tillë është e paarritshme/-deklaroi Arbër Ademi, ministër iArsimit dhe Shkencës.

 Ndërkohë ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, tha për Alsat se qëndrimi i Komisionit për Sëmundje Ngjitëse është që viti shkollor të nis nga distanca përveç klasave të para.

 “Qëndrimi i Komisionit për Sëmundje Ngjitëse është që Procesi mësimor të zhvillohet nga distanca, përveç në klasat e para ku është e domosdoshme prania fizike e fëmijëve. Druajmë për shkak të situatës në vjeshtë, kur nuk e dimë se me çfarë do të ballafaqohemi, ashtu sikurse të gjitha vendet e Evropës. Do të jetë shumë e rrezikshme të lejojmë fëmijët të kthehen pa asnjë kufizim në hapësira të mbyllura”, tha Filipçe

Plani i Ministrisë së Arsimit për realizimin e procesit mësimor në kushte pandemie përmban tre modele: Organizimi i mësimdhënies me prani fizike të nxënësve, Të mësuarit në distancë dhe Koncept i kombinuar i realizimit të mësimdhënies.

Melihate Rustemi

 

Shpërndaj me

Loading...