Fundjava pa TVSH, të cilën qeveria e prezantoi si masë për të ndihmuar ekonominë dhe qytetarët, do të nis të zbatohet pasi të fillojë të shuhet epidemia.Sipas vlerësimeve fillestare, kjo masë do të nis të aplikohet në fund të muajit gusht ose në fillim të muajit shtator. Vetëm qytetarët që përdorin aplikacionin “TVSH-ja ime” do të kenë të drejtë ta përdorin këtë masë, njoftoi këshilltari i kryeministrit, Fatmir Bytyqi.

I pyetur nëse kjo masë do të shkaktonte tubime masive të qytetarëve dhe në këtë mënyrë të rriste rrezikun për infeksion me koronavvirus, Bytyqi tha se do të monitorojnë zhvillimin e epidemisë dhe do të respektojnë rekomandimet e autoriteteve shëndetësore. Sipas tij rreziku për abuzime, respektivisht për evazion fiskal në këtë rast është minimal.

“Kjo masë pritet të realizohet në fund të gushtit dhe fillimit të shtatorit, me shpresën që pandemia derë atëherë të shuhet. Sigurisht, nëse në atë periudhë ka rekomandime për të mos u tubuar, do të shihet mundësia për realizimin e kësaj mase në një periudhë tjetër kohore. Nuk do të krijojmë masa që do të rrezikojnë jetën e qytetarëve. Ky nuk është një aktivitet i ri që nuk është realizuar në vendet e tjera. Vetëm përdoruesit e aplikacionit “TVSH-ja ime” do të jenë në gjendje të shfrytëzojnë këtë masë dhe vetëm produktet që do të shiten atë ditë dhe që do të kenë kuponë fiskale do të përfshihen në këtë paketë të fundjavës pa TVSH “, tha Bytyqi.

Shpërndaj me

Loading...