Izet Buco, si fëmijë ishte i lënduar gjatë luftës në Bosnjë ndërsa bashkë me familjen u largua nga Sarajeva për në Angli, për një jetë më të mirë dhe për të shpëtuar nga forcat serbe. Ai u largua me helikopterët e UN-it dhe jeta e tij ishte në rrezik.

Mbrëmë, Izet Buco fitoi një çmim Oscars për efektet më të mira vizuele, për punën e tij në filmin ‘1917’.

Buco madje kishte qenë i plagosur si fëmijë, në Gorazde të Bosnjës në vitin 1994, dhe ja sot ku ja doli edhe të triumfonte në Oscars dhe të dilte në skenën e madhe të Akademisë së çmimeve më prestigjioze filmike në botë.

Buco jeton në Londër dhe është pjesë edhe e filmave të tjerë të njohur si ‘Cats’, ‘The Lion King’, ‘Wonder Woman’, ‘Life’, ‘Warcraft’, shkruan KultPlus.

“Është vështirë ta shpjegoj sa i privilegjuar jam që kam punuar në këtë film. Ta shoh filmin që po merr çmimet më të arritura të industrisë e bën këtë projekt edhe më të veçantë. I tërë filmi në vetëm një kuadër, është e çmendur. Këtë e bëjmë ne. Ne bëjmë filma që lëvizin gurët” ka shkruar Buco në LinkedIn. Bashkë me të, në efektet vizuele kanë punuar edhe Guillaume Rocheron, Greg Butler dhe Dominic Tuohy.

‘1917’ është film nga Sam Mendes ndërsa fokusohet rreth dy ushtarëve nga Britania në Luftën e Parë Botërore. Për njërin prej ushtarëve, ta dëgojë një mesazh në vendin e saktë ka shumë rëndësi sepse kështu mund ta shpëtojë edhe një familjar të vetin.

Shpërndaj me

Loading...