fbpx

“Në hapësirat e kazermës “Ilinden” që ndodhet pas meje është premtuar ndërtimi i objektit dhe konviktit të universitetit “Nënë Tereza”. Ekipi i Alsat nuk ka leje për te incizuar brenda hapësirave të kazermës sepse, kjo pronë akoma nuk ka kaluar në kompetenca të universitetit edhe pse kanë kaluar me shume se një vit nga përcaktimi i hapësirës dhe rreth pesë vjet nga promovimi i projektit”.

Xhirimet e fundit nga kamera e Alsat dëshmojnë se studentët e UNT-së edhe për një periudhë të gjatë do të vazhdojnë të bredhin nëpër objekte për të ndjekur procesin akademik, pavarësisht se BDI-ja tashmë 5 vjet premton ndërtimin e godinës universitare. Madje, këtë premtim BDI e paraqiti edhe kësaj radhe në programin e saj parazgjedhor 2020-24. Edhe ministri i Arsimit, Arbër Ademi tashmë disa herë u zotua për mbylljen e procedurave që kanë të bëjnë me nisjen e punimeve ndërtimore për kampusin e ri universitar të UNT-së. Deri më sot, të gjitha këto zotime të Ademit dhe partisë së tij BDI rezultuan të jenë vetë premtime boshe.

Alsat, edhe këtë herë kërkoi përgjigje nga UNT-ja për të kuptuar më saktësisht deri ku kanë arritur procedurat për fillimin e ndërtimit të objektit universitar. Në përgjigjen me shkrim të këtij institucioni mes tjerash thuhet se: janë në pritje të ndryshimit të Planit të Detajuar urbanistik nga ana e Komunës së Çairit njëjtën siç ka vepruar kohë më parë Komuna e Karposhit. Kujtojmë se në vitin 2017 në një deklaratë për Alsat, rektori i UNT-së Aziz Pollozhani pati pranuar se në emër të përshpejtimit të procedurave, kishte ndarë tender prej mbi 700 mijë euro për përpilimin e planit ideor për këtë universitet. Deri në çelës, i gjithë kompleksi universitar pritet të kap shumën rreth 25 milion euro, ndërsa vetëm projekti themelor ka kushtuar mbi 700 mijë euro.

Përveç në ndërtesën e lidhjes së sindikatave, studentët e UNT-së mësojnë edhe në hapësirat e Sh.f “Kongresi i Manastirit”, ku më parë kanë mësuar studentët e Universitetit të Tetovës. Ndërtimi i kampusit universitar “Nënë Tereza” ishte premtuar që në periudhën e qeverisjes se Nikolla Gruevskit  në vitin 2015 kur edhe ishte marrë vendimi për themelimin e UNT-së.

 

Melihate Rustemi                          

Shpërndaj me

Loading...