fbpx

Federata Shqiptare e Futbollit ka organizuar një mbledhje me përfaqësuesit e lartë të dhjetë klubeve të Kategorisë Superiore. Në këtë mbledhje janë diskutuar disa çështje, por kryefjala ka qenë vijimi i futbollit në kushte të vështira financiare, për shkak të pandemisë “COVID 19” dhe ndryshimet ligjore për lehtësimin e klubeve në këtë aspekt.

Liga Profesioniste, e përfaqësuar nga 10 klubet e Superiores, e cila në parim funksionon si institucion i pavarur nga FSHF, por deri tani kjo pavarësi nuk është arritur të jetë e mirëfilltë ka lajmëruar bojkotimin e kampionatit.

Para disa ditësh në parlament u bënë disa ndryshime ligjore lehtësuese për sportin në përgjithësi, por Liga Profesioniste e Futbollit nuk është aspak e kënaqur me këto vendime dhe kërkon edhe liri të tjera financiare.

Në mbyllje të mbledhjes është publikuar një vendim, që njofton bojkotin e kampionatit të ardhshëm futbollistik në rast se nuk zbatohet një listë me katër pika kryesore të hartuara nga Liga Profesioniste. Ky organ pretendon miratimin e ligjit të ri të sportit, të sugjeruar nga vetë ata dhe kërkon heqje totale të tatimit të pagave të futbollistëve për gjithë dekadën e ardhshme nga qeveria. Kërkohet gjithashtu edhe zerimi i borxheve fiskale dhe kamatë-vonesave të klubeve.

Shpërndaj me

Loading...