fbpx

Kuvendi i Kosovës, ka votuar me 82 vota “për”, 32 “kundër” dhe një abstenim, mocionin e mosbesimit të ngritur nga LDK-ja e Isa Mustafës, ndaj qeverisë së kryeministrit Albin Kurti. Pas votimit të mosbesimit të qeverisë Kurti, në këtë periudhë kur edhe Kosova është në gjendje alarmante nga virusin korona, në lojë janë disa mundësi të ndryshme. Të vazhdojë punën Qeveria aktuale, të zgjidhet Qeveri e re, ose të mbahen zgjedhje të reja parlamentare, gjë e cila duket e pamundur në kohën e pandemisë. Presidenti mund t’i kërkojë “Vetëvendosjes” si partisë fituese të zgjedhjeve të fundit emrin e një mandatari të ri për kryeministër. Por gjithashtu të ulet në tryezë me të gjitha partitë politike dhe të gjejnë zgjidhje për kandidat për kryeministër. Kryeministri në detyrë Albin Kurti sot në rrjetet sociale është shprehur se do të vazhdojnë punën si Qeveri në detyrë.

Ishte kjo një rënie e domosdoshme për ngritjen e nevojshme. Pa rënë qeveria si përbërje nuk bëhet dot qeverisja si përmbajtje. Jo se e kemi ditur, gjithsesi e morëm vesh. Mbledhja e djeshme e kuvendit do të ishte mirë të mbahej mend gjatë. Mirëpo, nuk do të ndodhë kështu, sepse ne do të fitojmë. Pra, e ardhmja është e jona, ndërkohë që do ta humbim një tragjedi – tha Albin Kurti, kryeministër në detyrë i Kosovës.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se LDK-ja nuk do t’i tërheq njëanshëm ministrat dhe zëvendësministrat nga detyrat e tyre në Qeverinë në dorëheqje.

Pasi koalicioni VV-LDK ka rënë mbrëmë me mocion votëbesimi me votat e mbi 2/3 e deputetëve, mbetet në vullnetin e Kryeministrit në detyrë, z.Kurti, se a do të vazhdoj të punoj me ta gjatë kësaj gjendjeje emergjente, derisa të zgjedhet qeveria tjetër, apo do të bëj veprime të tjera, ashtu siç e liroi z. Avdullah Hoti nga pozita e zëvendëskryeministrit të parë mbrëmë para mesnate – u shpreh Isa Mustafa, Kryetar i LDK-së.

Mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti u iniciua nga partnerja e koalicionit qeverisës, LDK-ja dhe u mbështet edhe nga partitë opozitare. Por kundër qëndrimit të LDK-së është shprehur kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani. Ajo ka votuar kundër dëshirës së partisë së sajë, pavarësisht akuzave.

Por, parimësia tregon rrugën e drejtë, edhe atëherë kur ajo është e mbushur plot me gjemba. E unë nuk përtoj t’u rrekem atyre, për ta bërë të dukshme dritën edhe nëse sikur kjo nuk kuptohet nga disa mendjeshkurtër, që më akuzojnë se unë po e tradhtoj LDK-në dhe kërkojnë largimin tim nga LDK-ja – theksoi Vjosa Osmani, kryetare e Kuvendit të Kosovës.

Mocioni i LDK-së për mosbesimin e Qeverisë Kurti, ka marrë kritika të ashpra nga përfaqësues të ndryshëm ndërkombëtar. Ish-eurodeputetja gjermane, Doris Pack ka akuzuar LDK-në se marrin pjesë në lojën e ndyrë të Thaçit dhe Grenell. Ndërsa raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, në shkrimin e saj në Twitter e ka quajtur klasën politike kosovare “totalisht të papërgjegjshme”.

Mefail Ismaili

Shpërndaj me

Loading...