fbpx

Sopotasit nuk do të dëmshpërblehen për vitet e kaluar pa faj në burg. Ministria e Drejtësisë me 1 muaj vonesë i shuan shpresat e ish të dënuarve. Në përgjigjen e këtij dikasteri thuhet se nuk pranohet kërkesa dhe se udhëzohen që procedurën ta vazhdojnë në instanca gjyqësore. Sipas ministres së Drejtësisë, Renata Deskoka në rastin konkret nuk ka pasur kushte për marrëveshje mes ministrisë dhe ish të dënuarve.

Për faktin që nuk ka kritere mbi të cilat mund të arrihet marrëveshja ne i udhëzojmë që të drejtën e tyre ta kërkojnë përmes gjyqit. Kjo është një procedurë e zakonshme që vlen për të gjithë dhe për rastin konkret nuk mund të ketë principe të veçanta – deklaroi Renata Deskoska, Ministre e Drejtësisë.

Megjithatë një muaj më parë Deskoska kishte deklaruar se paratë për dëmshpërblim me doemos duhet gjetur.

Në rast se nuk ka ministria e Financave mjete, përmes Kuvendit detyrohet që t’i sigurojë. Kur ka raste kur janë shkelur të drejtat e njeriut, pati ose jo para duhet gjetur mënyra për të paguar dëmshpërblimin – tha Renata Deskoska, Ministre e Drejtësisë.

Avokati i të dënuarve, Vullnet Paçuku thekson se procedura gjyqësore do të kushtojë mijëra euro.

Do të zgjasë mes 2-3 viteve dhe do të ketë shpenzime financiare shumë të larta, diku rreth 3 mijë ose 5 mijë euro për çdo person. Për këto shpenzime unë jam i vetëdijshëm por edhe vetë Sopotasit ma kanë thënë që nuk kanë mundësi t’i mbulojnë për të iniciuar procedurë gjyqësorë – u shpreh Vullnet Paçuku, Avokat.

Për ish të dënuarit, ky veprim i Drejtësisë është thikë pas shpine.

Na takojnë. Duhet t’i japin. Nëse pak punon drejtësia duhet t’i japin. Na kanë shkatërruar, të paktën familja le të ketë. Akoma nuk mund të dalim nga borxhet – deklaroi Sulejman Sulejmani, Ish i dënuar.

Për neve kjo është edhe një thikë pas shpine. E shihni plakun se në çfarë moshe është, a po presin që të vdesë? Deri kur kështu? Turp t’i vije e sidomos politikanëve tanë. Turp. Këta po të duan të gjitha bëhen. Ajo çështje i takon ministrisë së Drejtësisë e jo të shkojmë me gjyq, po mirë neve do të shkojmë edhe në atë mënyrë – tha Samet Lutfiu, Ish i dënuar.

Më 19 mars me vendim gjyqësorë banorët e Sopotit u liruan nga akuza dhe u shpallën të pafajshëm. Kjo ndodhi falë tërheqjes së akuzës nga Prokuroria Speciale. Dy muaj më pas një pjesë e të dënuarve kërkuan zyrtarisht dëmshpërblim nga ministria e Drejtësisë. Për shpërthimin e minës në fshatin Sopot në mars të vitit 2003, ku kishin humbur jetën dy ushtarë polak të forcave të NATO-s dhe një shoqërues civil me 156 vjet burg ishin dënuar 11 banorë të këtij fshati.

Adrian Kerimi

 

 

Shpërndaj me

Loading...