VMRO-DPMNE-ja nuk pajtohet me Qeverinë për propozim-Ligjin për Prokurorinë Publike. Partia e Hristijan Mickoskit do të propozojë versionin e saj. Mickoski deklaroi se propozimi i tyre parasheh para se gjithashtu shndërrimin e Prokurorisë Speciale Publike në departament brenda Prokurorisë për krim të organizuar dhe korrupsion, hetimin e gjithë prokurorëve të PSP-së dhe kthimin e tyre në prokuroritë amë, pas përfundimit të mandatit. VMRO-ja kundërshton ashpër emërimin e Katica Janevas në Prokurori Republikane, ndërsa kërkon që Prokuroria Publike të ketë buxhet të pavarur deri në 1 për qind nga buxheti shtetëror.

Sipas propozimit të LSDM-së, Katica Janeva duhet të avancohet në prokurore republikane, pa marrë parasysh se e njëjta vjen nga prokuroria themelore, ndërsa prokurorët e tjerë sipas tyre, duhet me ligj, pra me ligj ku nuk ka kësi praktika askund në botë, të sistemohen në Prokurorinë e re për krim dhe korrupsion të larët. Kjo është shkelje e rëndë e ligjit aktual për PSP i cili parasheh që pas përfundimit të mandatit të gjithë prokurorët të kthehen në prokuroritë amë- deklaroi Hristijan Mickoski, Kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Ndonëse kryeprokurori Lubomir Joveski ishte njeriu që sipas VMRO-DPMNE-së si pasojë e diktatit politik nuk kishte proceduar parregullsitë e referendumit, opozita tani Joveskit i beson të gjitha lëndët e PSP-së të cilat janë ngritur në akuza, hetime apo procedura para-hetimore deri në qershor të 2017. Opozita heq dorë edhe nga propozimi i kryeprokurorit.

VMRO-DPMNE-ja angazhohet që të gjitha ato lëndë ku bëhet fjalë për fazë të dëshmive, pyetje të dëshmitarëve, fjalët përfundimtare apo fazë tjetër, t’i merr kryeprokurori dhe të njëjtat t’i ndajë sipas këshillave të ekspertëve aty ku duhet dhe më pas të përfundojnë me hetim të drejtë- tha Hristijan Mickoski, Kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Lidhur me besimin ndaj kryeprokurorit aktual, Mickoski i bëri thirrje Joveskit që në bazë të njoftimit të hetojë edhe veprat për të cilat ka indicio apo dyshime për krime nga Qeveria aktuale dhe Qeveria e kaluar. Mickoski nuk u përgjigj drejtpërdrejtë nëse mbështet propozimin e partisë Alternativa që në krye të prokurorisë së re të emërohet prokurorja Fatime Fetai, apo mbështet propozimin e Aleancës për Shqiptarët për prokuror të huaj. Ai shtoi se pajtohet me çdo emër i cili do të luftojë pa kompromis krimin dhe korrupsionin. Qëndrimi i prerë i opozitës kundër propozimit të pushtetit për Prokurorinë Publike vjen pak ditë para se Kuvendi të thërrasë seancën për leximin e parë. Për dallim nga opozita, Qeveria propozon që PSP të kalojë në Prokurori për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë.

Adrian Kerimi

Shpërndaj me

Loading...