fbpx

Përgatitjet për zgjedhje të parakohshme parlamentare rikthejnë në fokus problemin e disa cikleve zgjedhore, gjendjen e listës zgjedhore. Askush nuk thotë me siguri nëse të ashtuajturit “votues fantazmë” dhe votuesit e Pustecit janë ose jo akoma në listën zgjedhore. Nga KSHZ-ja thonë se në listë janë të gjithë qytetarët mbi 18 vjeç, me dokumente të vlefshme identifikimi, duke mos e përjashtuar mundësinë që votuesit e konstestuar të jenë akoma pjesë e saj. Baza e të dhënave për listën zgjedhore përpilohet kryesisht nga të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Në listën zgjedhore gjendet çdo qytetar i Maqedonisë së Veriut që posedon dokumente valide për identifikim, pasaportën ose letërnjoftimin valid dhe kuptohet kushtet kryesore, të ketë të mbushura 18 vjet dhe të ketë aftësinë e veprimit. Në qoftë se këto persona janë qytetarë të Maqedonisë së Veriut me dokumente valide për identifikim, atëherë kuptohet, në bazë të rregullave, ato me automatizëm janë edhe pjesë e listës zgjedhore”-pohoi Admir Shabani, zëdhënës i KSHZ-së.

Alsat drejtoi një sërë pyetjesh në Ministrinë e Punëve të Brendshme me të cilat kërkuam të dhëna të detajuara për detektimin dhe eliminimin eventual të personave të cilët në mënyrë të jashtëligjshme para zgjedhjeve të vitit 2013 kishin marrë dokumente identifikimi duke u regjistruar në adresa banimi të rreme, madje edhe qindra vetë në vetëm disa metra katrorë. Këto votues vinin kryesisht nga Pusteci dhe Dragashi. Nga MPB-ja shumë shkurt përgjigjen:

Ministria e Punëve të Brendshme ka zbatuar procedurë ligjore në të cilën janë dhënë vendime për asgjësimin e adresave, kurse kartat e identitetit në evidencën e Ministrisë së Punëve të Brendshme janë hedhur dhe nuk munden që të paraqiten në listën zgjedhore që dorëzohet deri në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve”-theksoi Ministria e Punëve të Brendshme.

Në këtë përgjigje të shkurtër nuk gjejmë sqarime se kur është zbatuar kjo procedurë, sa personave u janë asgjësuar dokumentet e identifikimit dhe sa prej tyre nuk janë më në listën zgjedhore. Ish anëtari i KSHZ-së Subhi Jakupi, problemin e shtetasve të huaj që ilegalisht kishin marrë të drejtën e votimit në vend e kishte publikuar kohë më parë. Ai thotë se institucionet duhet të dalin me të dhëna të sakta, nëse kanë zbatuar ndonjë procedurë pastrimi të listës.

Gjatë mandatit tim, ne detektuam që ka një numër të bollshëm sidomos votues të regjistruar të Pustecit dhe të Dragashit dhe kontestohej mënyra se si e kanë fituar shtetësinë. Nëse ato kanë punuar në këtë drejtim mendoj se i kanë detektuar ato mangësitë e çështjes me të cilën ato janë të pajisur me dokumente identifikimi dhe duhet të marrin masa të mëtejshme për të cilën ne duhet të kemi një informatë të saktë”-pohoi Subhi Jakupi, ish anëtar i KSHZ-së.

Me publikimin e plotë të listës zgjedhore në vitin 2016 dolën në pah mijëra anomali mes të cilave edhe persona të vdekur dhe mbi 2500 shtetas të huaj me të drejtë vote. Për këtë zhvillohen edhe procedura gjyqësore të cilat deri tani nuk kanë epilog.

Fatlume Dervishi

Shpërndaj me

Loading...