LSDM-ja vitin 2019 e vlerëson si vit i sukseseve ekonomike. Në konferencë shtypi si argument për pohimin e këtillë i përmendën të dhënat nga Enti shtetëror i statistikës për rritjen e rrogës neto që tani është mbi 25 mijë denarë, rritjen e rrogës minimale dhe të pensioneve. Papunësia sipas tyre është në shkallën më të ulët deri tani.

 Rrogat do vazhdojnë të rriten. Tashmë për këtë muaj rrogat  e punonjësve në arsimin fillorë, të mesëm dhe të lartë rriten për 10%. Nga shkurti rroga më të larta do marrin edhe punonjësit shëndetësor. Shkurti gjithashtu është muaji kur sërish do paguhen 15% nga kthimi i TVSH-së- tha Kosta Petrov, LSDM

Për opozitën, ekonomia e Maqedonisë vetëm se po fundoset. Opozitarët vlerësojnë se për shkak të paaftësisë së Qeverisë së LSDM-së në krye me ekipin ekonomik, siç thonë në kumtesën me shkrim, shteti i përjeton ditët më të zeza.

 LSDM kujdeset vetëm për bizneset e saja ndërsa qytetari i Maqedonisë vuan uri. Më shumë se 70% e qytetarëve në vend marrin rroga më të vogla se mesatarja. Papunësia e të rinjve është më e madhja në Evropë dhe rajon me 35%, ndërsa në disa komuna në Maqedoni papunësia arrin deri në 80%- thonë nga VMRO-DPMNE.

Dhe derisa vazhdoi zënka mes dy partive më të mëdha në bllokun maqedonas, nga Forumi i të rinjve të Aleancës për Shqiptarët para Qeverisë shprehën pakënaqësinë e tyre për shkak të shpërnguljes masovike të të rinjve nga vendi. Ata janë të hidhëruar me të gjitha Qeveritë deri tani dhe akuzojnë për papunësi të madhe tek të rinjtë.

Ile Petrevski 

Shpërndaj me

Loading...