fbpx

Më 1 tetor nxënësit do t’i kthehen mësimit me tekstet e vjetra, pa u zbatuar procesi i rishikimit të tyre që buron si detyrim nga Marrëveshja e Prespës. Nga tekstet shkollore nuk janë shlyer hartat e “Maqedonisë së Madhe” apo “Maqedonisë së Egjeut”. Komisioni ndërdisiplinor i ekspertëve i arsyeton vonesat në shqyrtimin e teksteve shkollore me zgjedhjet e mbajtura në dy vendet dhe periudhën e pandemisë. Ka qenë e pamundur që kjo të bëhet “online”. Kreu i palës maqedonase në komisionin e përbashkët, Viktor Gaber thotë se pritet pala greke ta caktojë datën e takimit të radhës, meqë pala jonë tashmë ka dorëzuar vërejtjet për programet arsimore në Greqi.

 Dallime ekzistojnë sepse ka dy sisteme të ndryshme të arsimit dhe trajtimit të historisë. Historia kryesisht është nën presion të ndjenjave emocionale të njerëzve. Tani mund të them se jemi në fazën evropiane, ku sipas propozimeve të Këshillit të Evropës dhe UNESCO-s ka bazë për trajtim të përbashkët të historisë, me më shumë sqarime, që fëmijët e vegjël të mos kenë ndjenja armiqësie ndaj bashkëmoshatarëve në anën tjetër të kufirit.”-tha Viktor Gaber, Komisioni ndërdisiplinor i ekspertëve.

Gaber shton se ky është proces i gjatë që s’mund të bëhet gjatë natës. Por, Marrëveshja e Prespës e nënshkruar më shumë së dy vite më parë, obligonte zbatimin e rishikimit të teksteve brenda një viti nga arritja e saj.

Deri tani, nuk ka asgjë të re as nga Komisioni i posaçëm për markat tregtare. Derisa Ministria e Jashtme greke nuk komenton, Ministri Osmani thotë se takime do të ketë së shpejti.

Takova dy komisionet që dalin nga kjo marrëveshje, eliminuam të gjitha pengesat administrative-logjistike që kanë qenë dhe besoj se shumë shpejtë do të duhet të takohen”-pohoi Bujar Osmani, Ministër i Jashtëm.

Së fundmi, mediat greke raportuan jozyrtarisht se përbërja e vjetër e palës greke kishte identifikuar 37 harta problematike dhe kishte përpiluar tekst 57 faqësh me komente rreth programeve arsimore në Maqedoninë e Veriut.

Anesa Salihu

Shpërndaj me

Loading...