fbpx

Milani bën një gabim të pafalshëm ndaj SPAL-it, në transfertë, që mund t’i kushtojë shtrenjtë në përfundim të kampionatit. Kuqezinjtë, edhe pse luajtën për më shumë se 50 minuta më një lojtar më shumë, morën vetëm një pikë (2-2) përballë ekipit të dytë më të dobët të Serisë A (në bazë të renditjes). Në njëfarë mënyre, skuadra e drejtuar nga Pioli zhvlerësoi fitoren e arritur javën paraardhëse ndaj Romës, në “San Siro”. SPAL-i, përkundër çdo parashikimi, e pa veten në epërsi të dyfishtë brenda gjysmë ore lojë, me Valorin e më pas Flocarin që e detyruan dy herë Donnarumman të nxirrte topin nga rrjeta. Vendësit morën një goditje të rëndë në minutën e 43-të, kur D’Alessandro u ndëshkua me karton të kuq për ndërhyrje të rëndë me takë. Milani për minuta të tëra në pjesën e dytë nuk e shfrytëzoi si duhet epërsinë numerike, gjithsesi e gjeti golin e parë me Leaon në minutën e 79-të. Kur gjithçka po i drejtohej fundit, Vicari, në tentativë për të larguar një krosim të ulët, e devijoi topin në portën e tij, 2-2. Dy minutat e mbetura në dispozicion nuk mjaftuan që Milani të gjente golin e fitores.

Përfiton nga ndalesa e Milanit Verona, që pa Marash Kumbullën në formacion (ishte i pezulluar), por me Rrahmanin titullar, fitoi me përmbysje 3-2 ndaj Parmës. Miqtë shënuan të parët me Kulusevskin, por Di Carmene barazoi në fund të pjesës së parë me penallti. Zaccagni i çoi shifrat në 2-1, por Parma barazoi me Gagliolon në të 64’. Pas shumë përpjekjesh, Verona shënoi golin e fitores me Pessinan në minutën e 81-të, duke e ngushtuar më vetëm një pikë diferencën me Milanin e vendit të 7-të.

Në takimet e tjera Fiorentina u befasua 1-3 nga Sassuolo në “Artmemio Franchi”, ndërsa Sampdoria fitoi 1-2 sfidën e mbijetesës me Leccen. (SuperSPort)

Shpërndaj me

Loading...