fbpx

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka konfirmuar incidentin e djeshëm në spitalin e Kumanovës. Në raportin ditor të MPB-së thuhet se të shtunën, më 26 shtator, në orën 9 e 07 minuta, në Sektorin e Punëve të Brendshme në Kumanovë, një mjek nga Reparti Intern i spitalit ka paraqitur se është sulmuar fizikisht nga kolegu I tij. Më tej, në raportin ditor theksohet se në koordinim me Prokurorin Publik do të ndërmerren të gjitha masat për zbardhjen të rastit. Nga Prokuroria Themelore Publike thanë për Alsat se në institucionin që ata drejtojnë akoma nuk ka arritur një njoftim me shkrim nga MPB-ja bashkë me dëshmitë e siguruara. Në momentin që do të arrijë, Prokuroria në fjalë do të veproj në bazë të kompetencave ligjore. Gjithashtu, nga Prokuroria Themelore Publike bëjnë të ditur se institucioni i tyre në Kumanovë për incidentin në fjalë është njoftuar gojarisht. Një ditë më parë në spitalin e Kumanovës, është sulmuar fizikisht mjeku Shukri Fazliu. Ky i fundit tha se është sulmuar dhe fyer nga kolegu i tij Ylber Isufi sepse nuk i është përgjigjur telefonatës së tij dhe nuk ka marr në kontroll shëndetësor një të afërmit e mjekut, Ylber Isufi. Nga ana tjetër, mjeku Ylber Isufi hodhi poshtë akuzat e kolegut të tij, Shukri Fazliu. Ai tha se vetëm kishte kërkuar sqarim nga Fazliu se përse nuk e kishte pranuar në kontroll shëndetësore pacientin që kishte pritur për 45 minuta. Incidente në spitale kanë ndodhur edhe më parë, por kryesisht mjekët ishin në shënjestër të pacientëve ndërsa rasti i Kumanovës është i pari kur mjeku sulmon mjekun.

Melihate Rustemi

Shpërndaj me

Loading...