Njëri nga tre shtetasit e Maqedonisë së Veriut që ndodhen në karantinë në anijen “kruzer” në Japoni është prekur nga virusi Covid – 19, ndryshe i njohur si korona. Autoritetet shëndetësore në vend thanë se shtetasi i prekur tanimë është dërguar në Spitalin e Jokohamës për mbikëqyrje mjekësore por shtojnë se bëhet fjalë për një formë të lehtë të virusit. Nga Instituti i Shëndetit Publik thanë se janë në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet Japoneze shëndetësore për monitorimin e gjendjes së shtetasve tanë. Ministri i Shëndetësisë i Japonisë tha se zbarkimi i personave të tjerë të cilët nuk janë të infektuar me virus mund të fillojë përpara datës 19 shkurt, atëherë kur duhet të përfundojë faza e qëndrimit në karantin.

 Deri më tani janë kryer teste te 492 persona, 174 prej të cilëve rezultuan pozitiv. Gjithashtu bëmë teste edhe ndaj 221 persona të tjerë dhe 44 dhanë rezultate pozitive. Ndërkohë mund të fillojë zbarkimi i personave që nuk janë të infektuar, të cilët do të jenë nën kujdesin e autoriteteve”-tha Katsunobu Kato, ministër i Shëndetësisë në Japoni.

Ndërkohë udhëtarët e tjerë të cilët janë brenda anijes “kruzer” shprehen shumë të shqetësuar që ndodhen në anije.

 Ne jemi të shqetësuar, me të vërtetë. Po mendojmë se nëse periudha e inkubacionit është 2 javë dhe karantina zgjatë 2 javë, do të kemi raste të reja sërish, me gjasë edhe kur të bie numri. Mendoj se numri i të prekurve është më i lartë nga ajo që shpresonim. Mendoja se numri do ulej më shpejtë”-pohoi Çeril Moleski, udhëtar në Diamond Princess.

Deri më tani numri i viktimave nga virusi vdekjeprurës ka arritur në 1368, ndërsa numri i të prekurve vetëm në Kinë është rreth 60,000 persona. Qindra të prekur të tjerë janë në mbi 20 shtete të tjera jashtë Kinës.

 

Vjollca Aliti                                                               

Shpërndaj me

Loading...