Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, e ka theksuar veçantinë e derbit të Anamoravës, Drita – Gjilani, përderisa ka thënë se ky derbi do të jetë edhe më interesant tani që dyja skuadrat janë në garë për titull.

“Për këtë derbi kisha dëgjuar edhe më parë, por tani e pata rastin ta përjetoj edhe nga afër. Jashtëzakonisht është një derbi tejet interesant, ku ndodh që edhe familjarët të jenë të ndarë mes dy skuadrave. Nëse vjen puna që ajo ndeshje të jetë vendimtare, do të jetë tepër e zjarrtë dhe nuk e di se çfarë stadiumi do t’i pranonte të gjithë ata tifozë që do të dëshironin ta shikonin nga afër ndeshjen. Por, edhe nëse nuk vendoset kampionati në atë ndeshje, edhe nëse vendoset më herët, mendoj se prapë ajo ndeshje sjell shumëinterer për shikuesit. Deri tani i kemi menaxhuar mirë këto derbi dhe i kemi fituar, shpresojmë të ecim me këtë formë,” ka thënë Nuhiu në emisionin sportiv “Favorit” në T7.

Drita aktualisht radhitet në pozitën e dytë në tabelën e Ipko Superligës, me vetëm një pikë më pak sesa lideri Ballkani, ndërsa Gjilani e ndjek nga pas rivalin me qytetit me dy pikë më pak. /Front Online/

Shpërndaj me

Loading...