Në vend që të jetë në drekë, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi thirri deputetët që ta përfundojnë seancën për buxhetin për vitin 2020. Sot është dita e pestë dhe e fundit parlamentare ku pushteti dhe opozita i kryqëzojnë argumentet “për” dhe “kundër” buxhetit të shtetit për vitin që vjen. Për VMRO-DPMNE-në opozitare buxheti është jozhvillimor ndërsa synon blerjen e qytetarëve për zgjedhjet e 12 prillit. Në të nuk ka masa reale por vetëm kozmetike. Për LSDM-në ai është në harmonizim me rritjen e ekonomisë vendore dhe është në drejtim të stabilitetit fiskal. Nuk nguruan të japin mesazhe politike parazgjedhore.

“Çdo ekonomist i cili sadopak e njeh këtë materie e ka të qartë se ky propozim buxhet që e propozon Qeveria e LSDM-së ka për qëllim zgjedhjet e 12 prillit. Për fat të mirë të popullit maqedonas, LSDM-ja do t’i humb zgjedhjet dhe Maqedonia do të vazhdojë drejt rrugës së vërtetë”-tha Gjoko Kamçev – deputet i VMRO-DPMNE-së.

“Zgjedhjet ende nuk janë shpallur, nuk ka zgjedhje, kur të shpallen, do të bisedoni për zgjedhje”-theksoi Talat Xhaferi- kryetar i Kuvendit.

“Për shkak se qytetarët janë edhe votues, ju në mënyrë frojdiane pohoni që buxheti për vitin 2020 është në favor të qytetarëve. Këtë vet e pranoni katër ditë me radhë. Këto qytetarë janë edhe nga LSDM, VMRO DPMNE, BDI dhe PRSD, por edhe nga partitë tjera. A do të thotë kjo që liderit tuaj Hristian Mickoski do t’i thoni që të dalë në konferencë shtypi dhe të kërkojë që të gjithë pensionistët që e mbështesin VMRO DPMNE-në t’i kthejnë pensionet e rritura”-tha Goran Misovski- PRSD.

Buxheti i vitit 2020 peshon 3,9 miliardë euro. Të ardhurat në arkën e shtetit janë projektuar në 3,6 miliardë euro. Deficiti është planifikuar për 2,3% dhe do të financohet me huamarrje në vend dhe jashtë vendit. Në buxhetin e ri shkruan që Qeveria planifikon nga 1 janari t’i rris pensionet nga 850 në 900 denarë. Projeksionet në buxhet janë bërë në bazë të rritjes për vitin e ardhshëm prej 3,8% nga PBV.

 

 

Shpërndaj me

Loading...