fbpx

Ndonëse pritet që Raporti i ardhshëm i progresit të jetë raporti më inkurajues që vendi ka marrë nga Komisioni Evropian, pos kritikave të ashpra ndaj opozitës për mos-mbështetjen e reformave ky raport nuk përjashton kritikat edhe ndaj pushtetit. Kryetari i Këshillit euro-atlantik, Ismet Ramadani vlerëson Qeveria është e vetëdijshme për lëshimet eventuale, dhe për pikat ndaj të cilave do të merr kritika nga Brukseli, andaj edhe do të tentohet që përmes rikonstruimit të intervenohet pikërisht në këto pika.

Do të thuhet se lufta kundër korrupsionit dhe kriminalitetit duhet të jetë shumë më e fuqishme.  Kjo Qeveri pothuajse edhe vetë pranon se në disa çështje nuk kanë ecur punët si duhet dhe jo rastësisht paralelisht me pritjen e Raportit të progresit, kryeministri paralajmëron edhe rikonstruim të Qeverisë. Rikonstruimi bëhet për shkak se në disa segmente ka ngecje, ka dobësi dhe aty ku do të bëhet ndryshimi i ministrave, rokadë të ministrave njëkohësisht porosia është se aty dhe ka pasur dobësi – deklaroi Ismet Ramadani, Kryetar i Këshillit Euro-Atlantik në Maqedoni. 

Ramadani dhe Iva Conevska nga Instituti për Politikë Evropiane vlerësojnë se në fokus të raportit do të jenë reformat në gjyqësor e administratë publike si dhe raportet fqinjësore, për çka dhe Qeveria do të merr nota pozitive. Megjithatë për dallim nga Ramadani që pret rekomandim të pastër për fillim të negociatave për anëtarësim në BE, Conevska vlerëson se rekomandimi do të jetë i kushtëzuar.

Presim që para së gjithash të shënohen përpjekjet e Qeverisë për adresimin e çështjeve kyçe në procesin e reformave. Këtu para së gjithash mendoj në gjyqësorin dhe administratën publike.  Ajo që duhet të theksohet nga vetë Komisioni Evropian është progresi në bashkëpunimin rajonal. Ajo që është kyçe dhe që duhet ta presim nga raporti është se a do të kemi rekomandim për fillim të negociatave dhe në çfarë forme do të jetë ky rekomandim,  a do të jetë ai i kushtëzuar me ndonjë prej reformave ose bashkëpunim rajonal – tha  Iva Conevska, Instituti për Politikë Evropiane .

Ndryshe, menjëherë pas publikimit të Raportit të Progresit më 17 prill, më 18 dhe 19 prill Shkupin do ta vizitojnë Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federika Mogerini dhe Euro-komesari për zgjerim, Johanes Han.

Anesa Salihu 

Shpërndaj me

Loading...