Vendimi i qeverisë shqiptare për të dërguar një ekip prej 30 mjekësh dhe infermierësh në Itali, në vendin më të prekur nga koronavirusi në Europë është duartrokitur në mbarë botën, duke u konsideruar si një gjest humanitar.

Sigurisht, ky akt ka marrë gjithë vëmendjen e merituar mediatike ndërkombëtare dhe ka çuar në reagimin zyrtar jo vetëm të instancave politike në shtetin fqinj Itali, por edhe të shumë figurave e personaliteteve me peshë publike. Një prej tyre edhe ikona e kinematografisë botërore, Sharon Stone.

Ylli i “Basic Instinct” e ka vlerësuar këtë akt si një gjest të jashtëzakonshëm humanitar në kohë lufte, sidomos në këtë periudhë kur e gjithë bota mbarë duket se është “gjunjëzuar” përpara shifrave kokëforte të të prekurve dhe jetëve të humbura për shkak të koronavirusit.

Përmes fotos ikonë të shkrepur 30 vite më parë që shfaq eksodin e madh të shqiptarëve drejt “tokës së premtuar”, aktorja e famshme ka përcjellë mesazhin se historia përsëritet dhe tani është radha e shqiptarëve që të japin ndihmën e tyre në një kohë kur Italia fqinje është në nevojë.

“30 vite më parë Italia vendosi t’i ndihmojë ata. Sot Shqipëria po dërgon doktorë dhe infermierë për të ndihmuar Italinë. Faleminderit Shqipëri me gjithë zemër”, shkruan aktorja në foton që ka postuar në Instastory.

Shpërndaj me

Loading...