Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett ka njoftuar të premten se Kosova do të pranojë 500,000 dollarë ndihmë nga Departamenti amerikan i Shtetit dhe Paketa për Asistencë Globale e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), me qëllim të luftimit të koronavirusit të ri.

Përmes një adresimi në rrjetin social, Facebook, Kosnett ka thënë se kjo shumë është shtesë e 1.1 milion eurove të ndara më parë nga SHBA-ja për Kosovën.

“Prej rastit të parë të identifikuar me këtë virus në Kosovë, ndihma jonë është fokusuar në mbështetjen e personave që kanë qenë në vijën e parë të frontit për të ulur përhapjen, në përkujdesjen ndaj të prekurve dhe ofrimin e pajisjeve që u duhen njerëzve për të luftuar sëmundjen Covid-19”, ka thënë Kosnett.

Marrë parasysh të dhënat e fundit, deri në tani në këtë shtet janë raportuar 1.004 persona të infektuar me koronavirus.

Prej tyre 772 janë shëruar dhe 29 kanë vdekur.

Shpërndaj me

Loading...