fbpx

Gjashtë shtetasit turq të arrestuar në Kosovë dhe të dëbuar në Turqi në mars 2018, u dënuan me 56 vjet dhe 7 muaj e gjysmë burgim në total.

Gjykatat në Turqi, shumicës prej tyre iu shqiptuan nga 8 vjet burgim, kurse njërit, Mustafa Erdem, drejtori i përgjithshëm i institucionit “Gulistan” në Kosovë, më 5 qershor iu shqiptua dënim prej 15 vjetësh.

Në mars të vitit 2018, me kërkesë të autoriteteve turke, autoritetet kosovare patën arrestuar dhe dëbuar për në Turqi shtetasit turq. Dëbimi i tyre është thënë se është bërë përmes një aksioni të koordinuar ndërmjet shërbimeve të inteligjencës nga Turqia dhe Kosova. Ankaraja dyshon se ata janë anëtarë të organizatës “Hizmet”, të udhëheqësit fetar turk, Fetullah Gulen. Këtë të fundit, autoritetet turke e fajësojnë për një përpjekje për grusht-shtet në Turqi në vitin 2016, kurse institucioni “Gulistan” konsiderohet i tij.

Pesë prej shtetasve turq të dëbuar ishin punonjës të shkollës “Mehmet Akif”, që operon në kuadër të “Gulistanit” në Kosovë, ndërkaq personi i gjashtë ishte një mjek turk.

Komisioni Hetimor Parlamentar i Kuvendit të Kosovës në shkurt të vitit 2019 pati identifikuar 31 shkelje ligjore gjatë procesit të arrestimit dhe dëbimit nga Kosova të 6 shtetasve turq, në mars të vitit 2018.

Njeriun që e arrestuan gabimisht e dënuan me më shumë se 8 vjet burgim
Njëri nga të dënuarit në këtë rast është Hasan Husein Gunakan, i cili u arrestua gabimisht në vend të Hasan Demir, por pavarësisht kësaj, ai u akuzua dhe dënua më 28 janar të këtij viti.

Djali i Gunakanit, Mustafa, i cili ende jeton me familjen e tij në Kosovë, i tha Radios Evropa e Lirë se babai i tij u akuzua se ishte “anëtar i një organizate terroriste të armatosur rëndë, e njohur si lëvizja ‘FETO’ si dhe se ishte spiun”.

Sido që të jetë, Gunakan u dënua vetëm mbi pretendimet se ai ishte pjesëtar i kësaj organizate.

“Gjykata vendosi për dënim me 8 vjet dhe 6 gjashtë muaj, pa asnjë provë. Dënimi u bazua në akuza të rreme”, tha Mustafa Gunakan.

“Pastaj, ne e apeluam vendimin dhe ndërsa prisnim që rasti të zgjidhej, u shfaq koronavirusi dhe vendimi për ankesën u shty”, shtoi ai.

Babai i Mustafës u përball me një proces të stërzgjatur gjyqësor, ndërkohë që tani së bashku me të dënuarit e tjerë, po qëndron i izoluar në qelitë e burgut Silivri në Turqi.

Mohimi i kontaktit me familjarë
Familja e Hasan Gunakanit nuk ishte në gjendje të kontaktonte me të për 50 ditë, pasi ai u arrestua dhe u dëbua për në Turqi.

“Atëherë patëm një shans të bisedonim 10 minuta në javë, deri në muajin mars të vitit 2020. Në atë kohë (për shkak të pandemisë së koronavirusit) ata anuluan të gjitha vizitat në person, përfshirë avokatët, duke e zgjatur kohën e bisedës telefonike në 20 minuta”, thotë djali i Hasanit, Mustafa.

Ai megjithatë frikësohet se bisedat incizohen dhe përpos gjërave të zakonshme mbi shëndetin, thotë se nuk bisedon gjë tjetër me babanë.

Sa janë të besueshme akuzat?
Hafza Girdap, zëdhënëse dhe drejtoreshë për çështje të grave në organizatën Përkrahësit e Turqisë së Heshtur (Advocates of Silenced Turkey-AST) që katër vjet jeton në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara.

Edhe ajo akuzohet se ishte pjesë e tentim gusht-shtetit që ndodhi në muajin korrik të vitit 2016 në Turqi.

Girdap thotë se proceset gjyqësore ndaj turqve të dëbuar nga Kosova janë zhvilluar me akuza të fabrikuara.

“Institucionet në Turqi i morën këta njerëz dhe pastaj shpikën prova kundër tyre sepse nëse institucionet atje vërtetë kanë pasur prova, atëherë do të duhej që t’i kishin ato para proceseve gjyqësore. Ata i burgosën këta njerëz dhe pastaj thanë: ‘në rregull, ne gjetëm disa prova’. Kjo nuk është logjike”, deklaron Girdap.\REL

Shpërndaj me

Loading...