fbpx

Në Tiranë, u inaugurua të enjten një memorial kushtuar Holokaustit dhe mbrojtjes që shqiptarët u dhanë hebrenjve gjatë luftës së dytë botërore. Realizimi i tij u bë i mundur falë një projekti të nisur vite më parë dhe të mbështetur nga qeveria amerikane.

Në fjalën e saj ambasadorja e Shteteve të Bashkuara Yuri Kim tha se nuk besonte se ka shumë vende e shumë popuj në botë që mund të ngrenë një memorial të tillë. Ndërsa atë që shumë shqiptarë të zakonshëm bënë në atë periudhë e cilësoi si “një histori frymëzuese të humanizmit, të kurajos dhe të nderit, me fjalë të tjera, një histori të besës shqiptare”.

Duke kujtuar disa nga episodet e familjeve shqiptare që sakrifikuan për të mbrojtur dhe ndihmuar hebrenjtë, kryeministri Edi Rama foli për “një histori e cila përmban për të gjithë, detyrimin për ta ruajtur jo thjesht si një histori që tregohet, por si një vlerë të madhe që duhet trashëguar brez pas brezi”.

Ai tha se “shpëtimi i hebrenjve gjatë Holokaustit është një monument i madh i historisë së gjallë të njerëzve të zakonshëm të Shqipërisë dhe një monument i madh në piedestalin e bashkëjetesës fetare”.

Shpërndaj me

Loading...