Kanadaja po përgatitet për një valë të dytë të koronavirusit, që mund të godasë vendin në vjeshtë, deklaroi kryeministrit kanadez, Justin Trudeau duke u kërkuar bashkatdhetarëve të tij të jenë të kujdesshëm.

“Ne po përgatitemi për një valë të dytë, që mund të godasë shumë fort”, theksoi kryeministri duke përmendur investimet në pajisjet mbrojtëse dhe testet e depistimit me qëllim për të reaguar më shpejt dhe më të vendosur nëse do të ketë një shpërthim në muajt e ardhshëm.

“Edhe sikur të jetë kështu, ne po rihapim ekonominë, do të duhet të vazhdojmë të marrim masa, të mbajmë maska ​​kur nuk mund të mbajmë distancën prej dy metrash, t’i kushtojmë vëmendje kontakteve me të tjerët”, deklaroi ai gjatë konferencës së tij thuajse të përditshme për shtyp që nga fillimi i pandemisë.

“Nëse nuk duam të humbasim të gjithë përparimin që kemi bërë muajt e fundit, do të duhet të vazhdojmë të jemi vigjilentë edhe në këtë fazë të re të pandemisë”, shtoi ai.

“Në Kanada ka ende zona të nxehta, por në të gjithë vendin, numri i rasteve, shtrimet në spital dhe vdekjet po ulen”, theksoi ai.

Në mesin e qershorit, Trudeau njoftoi nisjen e një aplikacioni në telefon për gjurmimin e kontakteve me qëllim për të ndjekur përhapjen e pandemisë, që do të jetë i disponueshëm në nivel kombëtar gjatë javëve të ardhshme.

Shpërndaj me

Loading...