Teksa virusi korona ka alarmuar të gjithë botën, këshilla që dëgjojmë më shpesh dhe duhet të zbatojmë të gjithë është të mos prekim fytyrën tonë. Por pse e bëjmë ne vazhdimisht diçka të tillë dhe si mund ta ndalojmë atë?

Për këtë ka dhënë përgjigje psikologia e huaj, Natasha Tiwari. Sipas saj, prekja e fytyrës është pjesë e ADN së njeriut dhe është thuajse e pamundur ta ndalosh atë.

“Ne nuk mund ta ndalojmë atë, është pjesë e ADN tonë. E dimë këtë sepse edhe fetuset në barkun e nënës e prekin fytyrën e tyre. Kështu që sa herë i thua vetes ‘Mjaft e preke fytyrën, mos e prek fytyrën, nëse e prek fytyrën do të sëmurem’, po i thua vetes të bëjë diçka që është krejtësisht jo natyrale për ty. Kur ne prekim fytyrën tonë, ajo që në të vërtetë bëjmë është qetësimi i vetes tonë. Kur prekim zona të caktuara të fytyrës tonë, ajo që në të vërtetë bëjmë është aktivizimi i disa pikave të presionit e cila më pas aktivizon sistemin nervor parasimpatik, gjë që na bën të qetësohemi. E njëjta gjë shihet edhe tek qentë dhe macet. Fëmijët po ashtu sillen si prindërit e tyre. Pra nëse prindërit kur janë të mërzitur, të befasuar apo të sëmurë prekin fytyrën e tyre, edhe fëmijët bëjnë thuajse të njëjtën gjë”, tha ajo.

Psikologia tregoi për BBC edhe disa “sekrete” sesi mund të shmanget sadopak prekja e fytyrës.

“Është thuajse e pamundur të mos e prekësh fare fytyrën tënde, por ka disa pika që mund t’ju ndihmojnë ta lehtësoni disi këtë gjë. Ju mund të hiqni dorë nga disa gjëra, si për shembull të vendosni syze në vend të lenteve ose të përdorni më pak make-up. Po ashtu, mund të ‘mësoni’ t’i mbani duart në një vend të caktuar dhe të mos i lëvizni ato gjithë kohës, në mënyrë që të shmanget prekja e fytyrës”, tha Tiwari.

Shpërndaj me

Loading...