VMRO-DPMNE-ja kundërshton transferimin e lëndëve të PSP-së në Prokurorinë e Publike. Sipas opozitës kryeprokurori Lubomir Jovevski dhe të gjithë mbështetësit e kësaj ideje, shkelin ligjin e Prokurorisë, duke bartur lëndët e institucionit kompetent për ndjekjen e lëndëve që dalin nga përgjimet, në një institucion tjetër.

 Nuk ekziston mundësi ligjore, me të cilën lëndët t’i transferohen në atë mënyrë Prokurorisë Publike, aq më pak kur bartësi i kompetencave të mëhershme, prokurorja speciale Katica Janeva gjendet në burg dhe në mënyrë të dyshimtë, me letra pa vula dhe pa nënshkrime, kompetencat ia kalon një institucioni tjetër të rëndësishëm. Kështu as një bahçe për mbjellje nuk bartet, e jo më akte prokuroriale”-tha Dimçe Arsovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

LSDM thotë se VMRO-DPMNE-ja me anë të qëndrimeve të këtilla ushtron presion ndaj Prokurorisë dhe gjykatave. Sipas partisë në pushtet, e gjitha kjo bëhet pasi që VMRO-DPMNE-ja nuk është mësuar me barabarësinë para drejtësisë. Duke mos mbështetur reformat, VMRO-DPMNE-ja tenton që të mbrojë funksionarët e saj, thonë nga partia e Zaevit. LSDM-ja akuzon partinë e Mickoskit se po pengon proceset euro-integruese.

Mickoski nuk dëshiron që shteti ynë të ketë kushtet e njëjta sikurse shtetet e BE-së. Me qëllim që të shpëtojë pallatin e bardhë, VMRO-DPMNE-ja është e gatshme që të flijoj ardhmërinë e të rinjve”-pohoi Aleksandar Dimitrieviç, LSDM.

Grupet e punës të të dy partive tani më një kohë të gjatë janë duke biseduar për Ligjin për Prokurorinë, por pavarësisht kësaj, qëndrimet ende mbeten diametralisht të kundërta. Problemin nuk e zgjidhi as takimi i fundit i liderëve, Zaev dhe Micskoski. Ligji ishte paralajmëruar të miratohej deri më 15 shtator.

Besian Leka

Shpërndaj me

Loading...